

Lajme & Ngjarje

EDUKIMI
I IMAMËVE NË GJERMANI
Doc.dr.Xhabir Hamiti
Osnabruck 25-27/02./2010
Gjermania pas Francës është vendi i dytë sot në Evropë me më
shumë pjesëtarë të komunitetit mysliman. Numri i qytetarëve
evropian me përkatësi fetare islame është në rritje të
vazhdueshme, kurse në shumë qytete dhe shtete evropiane feja
Islame pas krishterimit tani renditet në vendin e dytë.
Rritja e numrit të qytetarëve të rinj me përkatësi fetare
islame në Evropë, me tendenca rritjeje të vazhdueshme, ka
ndryshuar përbërjen demografike të këtij kontinenti dekadat e
fundit, mirëpo në të njëjtën kohë ka ngjallur shqetësime
frikë- phobi si tek qytetarët autokton e ashtu edhe te vet
qeveritë evropiane. Sulmet terroriste në SHBA-së , pastaj të
tjerat në disa qendra evropiane si në; Madrid, Londër, Stamboll,
Indi etj, si dhe deklaratat pompoze të kohëpaskohshme të disa
“liderëve fetar” për luftë kundër pa besimtarëve, kanë ndikuar
në perceptimet e shumë evropianëve, por edhe të tjerëve, që
të krijojnë paragjykime ndaj Islamit dhe myslimanëve, duke i
parë ata si shqetësim dhe kërcënim për të ardhmen e shoqërive
civile dhe demokratike. Një ndikim të madh negativ në këtë
drejtim padyshim e kanë luajtur dhe po luajnë edhe masmediat
me nëmë botërore, të cilat kohë pas kohe kanë sjellë dhe po
sjellin në faqet e tyre vetëm anët negative të Botës Islame të
cilat i ushtrojnë grupe të vogla të caktuara të njerëzve,
e që në veprimet e tyre identifikohen si mysliman.
Mirëpo, jo të gjithë qytetarët e Evropës myslimanët i shohin
me të njëjtat paragjykime e lartpërmendura. Shumë studiues dhe
intelektual sot e pranojnë se ka pas dhe se ka ekzagjerime dhe
teprime të paragjykimeve karshi Islamit dhe myslimanëve, prandaj
nisur nga ky fakt shumë qendra studiuese dhe universitete
anekënd Evropës, por edhe tej Atlantikut në vazhdimësi po
themelojnë departamente dhe katedra përmes së cilave po u
mundësojnë kuadrove të reja, që në mënyrë akademike, të
studiojnë mësimet dhe filozofinë islame. Këto studime të reja
bashkëkohore po ritheksojnë dhe po rinxjerrin në pah faktin se
Islami nuk është një fe e cila parim të sajë e ka pasur ose e
ka dhunën, ashtu siç edhe po paraqitet kohë pas kohe nga
qarqe të caktuara tendencioze.
Islami si fe hyjnore me principet e saja origjinale (in it`s
pure principle ), të pa shtrembëruara dhe të pa
keqinterpretuara , asnjëherë nuk mund të quhet si fe e dhunës,
dhe në këtë kontekst mund të gjykohet shumë bindshëm se, ata
të cilët e quajnë fenë burimore islame si të tillë, bëjnë mëkat
si para njerëzve të kësaj bote e po ashtu edhe para Zotit.
Faji i keq menaxhimit dhe mos organizimit të duhur të vet
myslimanëve nuk mund t`i atribuohet Islamit, dhe pikërisht këtu
duhet të bëhet dallimi nga të gjithë. Shumë veprime, sjellje,
tradita dhe kultura të popujve mysliman janë larg mësimeve dhe
porosive të vërteta Islame. Islami nuk mund të identifikohet
me kulturën e popujve mysliman kudo që ata janë, sepse Islami
është mbi kulturat e vendeve, rajoneve dhe popujve të caktuar.
Si duket këtë realitet e kanë kuptuar edhe qarqet akademike dhe
vendimmarrëse të Gjermanisë, por edhe të shumë vendeve tjera
evropiane. Në qytetin me peshë historike gjermane dhe evropiane
Osnabruck, nga data 25-27 shkurt 2010 u zhvillua konferenca me
titull : “ Edukimi i Imamit në Gjermani “ në të cilën morrën
pjesë profesor dhe akademik nga vendet e ndryshme evropiane.
Qëllimi i konferencës ishte parapërgatitja për fillimin e
edukimit universitar të imamëve në Gjermani si dhe futjen e
fesë islame si pjesë të kulturës fetare gjermane. Konferenca
ishte organizuar nga Universiteti i Osnabruckut nën mbështetjen
direkt të ministrit të brendshëm të Landit Niedersachsen Uwe
Schonemann. Gjermania shumë shpejtë do të hap katedra në
universitetet më të njohura të sajë për përgatitjen arsimore të
imamëve, të cilët do të shërbejnë në këtë vend në të ardhmen.
Në cilësinë e të ftuarit edhe unë pata rastin të kem fjalën në
njërën nga seancat dy ditore të kësaj konference me temën “
Tradita e edukimit të imamëve në trojet shqiptare në gjysmën e
dytë të shekullit XX-të. Referimi im kryesisht u fokusua
në rolin të cilin e kanë luajtur institucionet edukative fetare
islame në edukimin e imamëve në mesin e shqiptarëve në të
kaluarën dhe aktualisht si; Medreseja e Mesme Aluaddin në
Prishtinë, Medreseja Isa Beg në Shkup dhe Medreseja H.Mahmud
Dashi në Tiranë, pastaj edhe institucionet e larta
universitare si Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë dhe
Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup.
Shumë të pranishëm pas paraqitjes time shfaqën interesim për
një bashkëpunim më të ngjeshur me institucionet tona fetare
arsimore, për të cilat shumë prej tyre edhe nuk dinin se kanë
ekzistuar dhe ekzistojnë.
Imami në punën e tij nuk përfaqëson vetëm veten dhe interesat
e ngushta personale , përderisa ai është person publik, ishte
njëri nga konkludimet e konferencës. Prandaj edhe nisur nga ky
fakt, ai duhet të jetë i vetëdijshëm për vendin dhe rrethin në
të cilin punon dhe vepron. Për të pasur sukses dhe për të
ruajtur paqen fetare mes njerëzve, imami duhet të jetë po ashtu
i njohur mirë me sistemin, mentalitetin dhe traditat e vendit ku
shërben ishte konkludimi tjetër.
Shteti Gjerman si duket është i interesuar të mos lejojë që në
të ardhmen, në territorin e tij, të veprojnë imam të cilët
përmes predikimeve të tyre mund të ngjallin urrejtje dhe dhunë
në mesin e qytetarëve në emër të fesë.
Evropa tanimë ka kuptuar dhe ka pranuar realitetin se Islami
është bërë pjesë e identiteti të shumë qytetarëve evropian, një
fakt i cili nuk mund të zhbëhet dhe të anashkalohet dhe
pikërisht për këtë arsye po punon për gjetjen e formave më të
mira për integrimin qytetarëve të vet mysliman në shoqërinë e
gjerë evropiane.
Mendoj se vetmja zgjedhje për të ruajtur qetësinë fetare në
këtë kontinent të vjetër, është respekti dhe toleranca ndaj
pakicës shumicë të myslimanëve në Evropë sot. Nuk mund të ketë
rehati dhe qetësi mes njerëzve në përgjithësi përderisa nuk ka
respekt të ndërsjellët për besimin e tyre shpirtëror, i cili
duhet të kultivohet përmes dialogut të hapur dhe të sinqertë. Në
fund të fundit fetë hyjnore nuk janë shpërfaqur në këtë botë që
njerëzit në emër të tyre të luftojnë mes veti. Diversiteti dhe
laramania mes njerëzve deshëm apo nuk deshëm të pranojmë, është
vullnet dhe ligj i Zotit dhe si i tillë duhet të pranohet.
Ajo që mund të shtohet në këtë kontekst është se në mësimet
islame raportet ndër njerëzore janë sqaruar në formë shumë të
avancuar. Qetësia dhe rehatia e asnjë njeriu nuk guxon të
lëndohet dhe të abuzohet në bazë të pikëpamjeve fetare.